Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me pandeminë në vend dhe për rritjen e të infektuarve ditët e fundit.
Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se ka humbur kontrollin mbi Covid-19, ndërkohë që ka shtuar se kapacitetet shëndetësore janë drejt kolapsit.
“Numri i të sëmurëve nga Covid-19 po rritet përditë, fatalitetet po shtohen dhe kapacitetet shëndetësore po shkojnë drejt kolapsit. Rama ka humbur kontrollin mbi pandeminë, megjithëse vala e dytë ishte paralajmëruar. Po të na kishte dëgjuar, qeveria do kishte marrë masat e duhura”, shkruan Basha në Twitter.
Kryedemokrati ka vijuar më tej duke thënë se është koha për të marrë disa vendime dhe veprime të shpejta për rritjen e testimeve.
“Në vend të llafeve, sot më shumë se kurrë duhen vendime dhe veprime të shpejta për të rritur testimet dhe fonde për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë. Asgjë nuk është më e çmuar se jeta e njerëzve!”
