Krahas betejës ligjore që nis të mërkurën në komisonin e ankimimeve dhe sanksioneve, Lulzim Basha, ka nisur një tur takimesh me strukturat dhe qytetarët për të diskutuar situatën post zgjedhore dhe vendimet e Partisë Demokratike. Takimet nisën nga qyteti i Durrësit, ndërsa Basha deklaroi se nuk do të ndal punën për asnjë moment për të sjellë ndryshimin për të cilin vendi tha ai ka nevojë.
“Gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën, të vazhdojmë betejën të cilën më 25 prill Edi Rama, Doshët, Rakipët me shokë menduan se e mbyllën. Beteja do të vazhdojë, Shqipëria do të ketë një të ardhme më të mirë,” tha ai.
Lulzim Basha tha se Partia Demokratike ka refuzuar dhe do të refuzojë që të vij në pushtet me bandat.
“Nuk do të çedojmë asnjë milimetër, nuk do të humbasim asnjë sekondë, nuk do të lëmë asnjë mjet, asnjë forum dhe asnjë copëz energji dhe fuqi pa përdorur derisa ta bëjmë realitet,” tha Basha.
Ndërkohë selia blu ka vijuar të zbardh atë që e quan skemë kriminale të blerjes së votës. Jorida Tabaku tha se nga 1 janari deri në 25 prill, qeveria transferoi 125 milion euro për 11 bashki për programin e rindërtimit.
“Mijëra familje përfituan rritje të vlerës së dëmit nga DS1 në DS2 dhe derinë DS5 duke akorduar miliona dhe dhjetëra miliona lekë secilës prej familjeve që përfituan nga ndryshimi i masës së dëmit,” u shpreh Tabaku.
Jorida Tabaku tha se akuzat janë një grup prove për SPAK, që deri në këto moment nuk ka asnjë veprim për hetimin e krimit zgjedhor.