Gjatë takimit me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë, lideri demokrat Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria renditet e treta në botë për numrin e viktimave nga koronavirusi dhe kjo sipas tij ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të situatës. Lulzim Basha akuzoi se kryeministri nuk e meritonte vaksinën, por e mori me pretekstin se po e provonte i pari.
“6 mijë vdekje shtesë, që u detyrua ti publikonte edhe INSTAT, muaj pasi i denoncuan profesionistët dhe pasi unë i publikova në emision. Keq menaxhim monstruoz i krizës së epidemisë. Tani është kthyer në një nga truket e preferuara, provokimi i tensioneve mes mjekëve dhe qytetarëve, që po bëjnë një punë vetëmohuese.
Duke pasur parasysh cfarë qeverie kemi, heroizmi i mjekëve është i pakrahasueshëm me këdo tjetër. Jemi të tretët në botë për numrin e viktimave të qytetarëve. Vetë e bëri vaksinën me pretekstin se po e provonte ai i pari, sot do të kishim një mjek më shumët ë vaksinuar me vaksinën e pa merituar që bëri Edi Rama. I vetmi që nuk po bën detyrën e tij, e mori i pari vaksinën” tha ai.
Basha përsëriti edhe njëherë se faktet janë fshehur qëllimisht, për të mbuluar sipas tij dështimin.
Kryedemokrati solli në vëmendje statistikat e INSTAT, që sipas tij vërtetojnë se numri i viktimave nga virusi në vend është shumë herë më i lartë seç është raportuar.
“Rritja e numrit të të infektuarve dhe gjena e përgjithshme e shoqërisë, gjendja ekonomike, personelit shëndetësor, ka arritur në një pikë që konsideroj si më të keqen që nga fillimi i pandemisë. Numri real i të infektuarve është shumë më i lartë. Paralajmërimi që erdhi nga profesionistët dhe unë i dhashë zë në emisionin Opinion para disa muajsh është vërtetuar se ishte i vërtetë edhe përmes statistikave të kësaj qeverie, që tregon se numri i vdekjeve ishte i madh vitin e kaluar. Shumëfish më të lartë se shifrat e raportuara nga qeveria dhe institucionet qeveritare.
Numri i testimeve mbetet i ulët. Nuk ka asnjë irno sa testime po kryhen nga ISHP dhe sa nga privati. Vetëm Shqipëria nuk ka informacion nëse qarkullon mutacioni britanik apo jo.
I vetmi prioritet absolut që ka mbizotëruar me sukses të plotë është vlera e propagandës. Nuk ka vend tjetër në Ballkan që të ketë cirkun shëtitës të kryeministrit që shikon si ngulet gjilpëra e vaksinës, a thua se kjo është puna e tij. Ku në fakt puna e kryeministrit është të sigurojë të gjitha mjetet financiare. Kemi prej marsit që ia kërkojmë ditë për ditë. Të parët që kanë folur janë profesionistë jo ne. Ne i kemi dhënë zë shqetësimeve të tyre të drejta. Fshehja e fakteve është bërë me qëllim, për të fshehur dështimin”, tha Basha.