Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9.30.
Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo sipas tij të zbatojë me përpikmëri ligjin.
Sipas tij në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.
“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”
Letra e plotë
Jam njohur me aktin “Ftesë për paraqitje” datë 12 Qershor 2019, përcjellë me shkresën nr. 645 Prot. të datës 12 Qershor 2019, nga ku kam konstatuar se më ftoni të paraqitem në vendin, datën dhe orën e caktuar, “për të më njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit”.
Siç ju dhe opinioni publik jeni në dijeni, unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive.
Në lidhje me Ftesën për Paraqitje të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”.
Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore.
Për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.”
Për sa më sipër, duke konfirmuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të ri të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin.
LULZIM BASHA