Për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e dekretit të Presidentit Meta për datën e zgjedhjeve, është një histori makinikacioni pas të cilës qëndron kryeministri Rama.
Në një konferencë të jashtëzakonshme nga selia blu, Basha tha se asnjë institucion veç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit.
Deklarata e Bashës:
Kolegji Zgjedhor ka marrë sot një vendim krejtësisht të parëndësishëm por që po përdoret nga Rama si makinikacion për të krijuar një ligjshmëri falso të votimeve falso të 30 qershorit që KQZ po i përgatit dhe zbaton në shkelje të Kushtetutës dhe shkeljes së çdo ligji. Kolegji Zgjedhor ka në kompetencë vetëm shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me procesin zgjedhor dhe vetëm në bazë të kodit zgjedhor. Asnjë institucion veç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit. Vendimi i sotëm kishte disa ditë që dihej si fakt i kryer në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës. Është e gjitha një histori makinacioni e përgatitur në çdo detaj nga Edi Rama.
Me një skenar të trashë, u sajua një kërkesë false, nga një parti false, në bazë të së cilës Kolegji Zgjedhor shpalli një vendim të parapërgatitur nga Edi Rama, për ta shitur edhe jashtë vetë objektit të vendimit. Lehtësia me të cilën ndodhi e gjitha kjo, përpara syve dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, tregon jo vetëm kontrollin e plotë që Edi Rama gëzon mbi drejtësinë, dhe mbi çdo institucion të vendit por edhe shpërfilljen totale që ai ka ndaj ligjit, institucioneve dhe demokracisë.
Mbi të gjitha, vendimi i sotëm tregon natyrën false dhe fasadë të të gjithë sistemit instituticional shtetëror, i cili ka humbur tashmë çdo funksion kushtetues dhe politik dhe është reduktuar vetëm në funksionin e fasadës, për të mbuluar dhunimin e Kushtetutës, të ligjit dhe të çdo norme demokratike nga Edi Rama. Pas parlamentit fasadë, prokurorisë fasadë, të gjykatave fasadë, të KQZ-së fasadë, sot kemi edhe një Kolegj Zgjedhor fasadë, të cilat legjitimojnë në sipërfaqe sundimin autokratik të Edi Ramës.
Sjellja e Kolegjit provoi se edhe dorëzimi i mandateve parlamentare ka qenë, gjithashtu, një vendim i drejtë i opozitës. Regjimi autokratiko-kriminal i Edi Ramës ka nevojë për fasadë për të mbuluar thelbin e tij. Me largimin tonë nga institucionet e kapura prej tij ne ia hoqëm këtë fasadë dhe tani të gjithë po shohim fytyrën e vërtetë të regjimit të Edi Ramës. I paaftë për të respektuar shtetin ligjor, Edi Rama po shkon në votime njëpartiake për të instaluar në pushtet, njerëzit e kapur në krime, ai po rreket të krijojë fasadën e pushtetit kriminale. Kjo duket nga pamjet e Edi Ramës që duket sikur po viziton një territor armik. Asgjë nuk është normale, sepse gjithë struktura kriminale është e paprekur.
Kjo duket nga retorika vulgare dhe përpjekjet e sforcuara, që kanë për qëllim t’i bëjnë njerëzit të ndihen budallenj, të ndihen të mpirë, të shpërqendruar për të kuptuar të vërtetën.Asgjë nuk është normale, sepse e gjitha infrastruktra kriminale e vjedhjes së zgjedhjeve është e paprekur.Gjiknurët, Dakot, Manjat dhe drejtuesit e lartë të PS së bashku me bandat e krimit të organizuar vazhdojnë të jenë të paprekur dhe të lire për të kërcënuar qytetarët të dalin në zgjedhjet farsë.Si gjithmonë, Edi Rama po garanton mbrojtjen e tyre, përmes prokurorisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit që kontrollohen prej tij.