Një vendim absurd që ka shkaktuar indinjatë të madhe në publik është marrë së fundmi nga Bashkia e Lushnjës, e cila ka shpallur ‘Qytetar Nderi’ Gjergj Velon, ish-funksionar i lartë gjatë regjimit komunist.
Velo ka mbajtur postin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Lushnjes gjatë diktaturës, kohë kur mijëra shqiptarë u internuan, u përndoqën dhe u shkatërruan familje të tëra vetëm për shkak se ‘kishin biografi të keqe’.
Ky nderim, i dhënë në një ceremoni zyrtare me pjesëmarrjen e drejtuesve vendorë, ka shkaktuar reagime të forta, pasi për shumë qytetarë të Lushnjës dhe jo vetëm, ky emër lidhet me firmat mbi vendime internimi, një nga plagët më të dhimbshme të periudhës komuniste.
Në atë kohë, internimet ishin një nga format më të egra të ndëshkimit politik. Familje të pafajshme dërgoheshin me forcë në fshatra të thellë, pa të drejtë pune, shkollimi apo lirie. Qindra burra, gra e fëmijë kaluan dekada të tëra në kampe si Grabiani, Savra, Gradishta e Plugu, në kushte çnjerëzore.
Shumë prej tyre humbën jetën, ndërsa të tjerë mbetën me plagë që nuk u shëruan kurrë.
Në këtë realitet të dhimbshëm, fakti që një ish-funksionar që firmoste këto vendime sot shpallet ‘Qytetar Nderi’, shihet nga shumë si një fyerje ndaj kujtimit të viktimave të komunizmit dhe ndaj vetë qytetit të Lushnjes, simbol i vuajtjes dhe rezistencës.
Ky rast ka hapur një debat të gjerë publik mbi mënyrën se si disa institucione vazhdojnë të glorifikojnë figura të diktaturës, në vend që të përulen me respekt para kujtesës së atyre që u sakrifikuan për lirinë.