Bashkia Shkodër është Bashkia e vetme që qeveriset aktualisht nga të djathtët. Bashkitë e tjera më të vogla të këtij qarku, të cilat pas bojkotit të zgjedhjeve lokale të 2019 nga opozita janë të gjitha nën qeverisjen e drejtuesve socialistë,po përdorin çdo formë dhe mjet për t`u rizgjedhur në 14 maj.
Në mes të fushatës elektorale Bashkia Malësi e Madhe ka zhvilluar tenderin me objekt “Sherbime të filmimit dhe transmetimit të aktiviteteve në televizion”, me fond limit 5.8 milionë lekë dhe vlerë kontarte 5.7 milionë lekë.
Me këto para Bashkia e Malësisë së Madhe kërkon 34 orë filmim të aktiviteteve dhe 24 orë transmetim në televizion, deri në 31.12.2023.
Dukshëm tenderi duket një “qokë” ndaj një televizioni lokal në mes të fushatës elektorale.
Tenderi u shpall në 25 prill ndërsa hapja e ofertave u zhvillua një ditë më pas, pra në datë 26 prill. Fitues u shpall TV Kopliku.
Nga monitorimi që i bëmë lajmeve të transmetuara nga TV Kopliku, të cilat janë publikuar edhe në rrjetet sociale, ky televizion përpara zhvillimit të këtij tenderi transmetonte kronika në lidhje me problemet e ndryshme që kishte komuniteti i Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe mungesën e transparencës së këtij institucioni gjatë fushatës elektorale.
Për kujtesë ndaj Bashkisë, pikërisht më datë 25 prill, ditën e shpalljes së tenderit nga ana e Bashkisë së Malësisë së Madhe Tv Kopliku vazhdoi me denoncimin e halleve të banorëve të kësaj Bashkie.
Por në edicionet e tjera, pas tenderit politika ndryshoi. Nga monitorimi i transmetimit të disa prej edicioneve të lajmeve duket qartë ndikimi i Bashkisë së Malësisë së Madhe në këtë media lokale, të cilën qartazi e bleu me para në mes të fushatës elektorale.