Bayern Munchen nuk po kthehet dot në rrugën e fitores në Bundesligë. Bavarezët barazuan 2-2 ndaj Stuttgart, barazimi i tretë radhazi ky në kampionatin gjerman.
Në këtë ndeshje, 17-vjeçari Mathys Tel u aktivizua si titullar dhe nuk zhgënjeu, pasi zhbllokoi rezultatin në minutën e 36, duke u bërë lojtari më i ri i Bayern që e nis ndeshjen në formacion dhe gjithashtu lojtari më i ri i klubit që shënon në një ndeshje kampionati.
Stuttgart barazoi me Fuhrich në pjesën e dytë, por vetëm 3 minuta më vonë, Musiala riktheu në avantazh bavarezët.
Kur dukej se Bayern do të merrte 3 pikët, arbitri akordoi një penallti me VAR, pas një ndërhyrjeje të pakujdesshme të De Ligt në zonë dhe Guirassy shënoi golin e barazimit për Stuttgart.
Pas barazimit të radhës, Bayern mban përkohësisht kreun me 12 pikë, aq sa kanë edhe Dortmund, Hoffenheim e Freiburg.
Ndërkohë, Leipzig mundi 3-0 Borussia Dortmund; Hoffenheim triumfoi 4-1 ndaj Mainz, Wolfsburg mori tre pikë pas fitores 0-1 në transfertë ndaj Eintracht; Bayer Leverkusen nuk shkoi përtej barazimit 2-2 ndaj Hertha Berlin.