Bayern-i i Vincent Kompany është shndërruar në një makineri golash. Pas suksesit 9-2 përballë Dinamos së Zagrebit në Ligën e Kampioneve, bavarezët kanë dhuruar spektakël edhe në sfidën e radhës në kampionat, duke triumfuar me rezultatin tenistik 0-5 në shtëpinë e Werder Bremen.
Siparin e golave për djemtë nga Mynihu e çeli francezi Olise në minutën e 22-të, ndërsa në të 30-tën, djaloshi i artë pas disa lëvizjesh shumë të bukura në zonë shërbeu për Musiala, i cili nuk fali para portës, raporton A2.
Me rezultatin 0-2 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë miqtë thelluan rezultatin me golin e tretë të shënuar nga Harry Kane në minutën e 57-të.
Olise në minutën e 60-të tregoi klasin e tij sërish dhe arysen pse është njeriu i momentit te Bayern duke gjetur golin e dytë personal dhe të katërtin e ndeshjes. Për të vulosur spektaklin bavarez mendoi Gnabry, i cili po ashtu gjeti golin në minutën e 65-të, shkruan A2.
Me këtë fitore djemtë e Kompany shkojnë në kuotën e 12 pikëve pas 4 ndeshjesh, duke mbajtur kreun e klasifikimit.