Bayern Munichu ka shënuar fitore me rezultat 5:0 në ndeshjen kundër Fortuna Dusseldorfit të Valon Berishës, në kuadër të xhiros së 29-të të Bundesligës, për të shkuar kështu edhe një hap më afër titullit të kampionit.
Djemtë e Hansi Flick e vazhduan formën e mirë që nga rinisja e sezonit në Bundesligë, duke arritur ta marrin fitoren e katërt radhazi, dhe atë me rezultat bindës kundër Dusseldorfit që rrezikon të bjerë nga liga, raporton Gazeta Express.
Dominimin e dukshëm në posedim të topit dhe raste të krijuara, Bayerni e shndërroi edhe në gola të shënuara. Megjithatë, ishte skuadra nikoqire që ia shkaktoi vetit deficitin e golit të parë, pasi që Zanka shënoi autogol në minutën e 15-të të ndeshjes.
Pas autogolit të Zankas, Bayerni arriti ta mbyllë pjesën e parë të ndeshjes me epërsi 3:0, falë golit të shënuar nga Benjamin Pavard në minutën e 29-të të ndeshjes dhe atij të Robert Leëandoëskit në minutën e 43-të.
Bavarezët e nisën pjesën e dytë po aq bindshëm sa e përfunduan atë të parën. Në minutën e 50-të, Lewandowski e shënoi golin e tij të dytë në këtë ndeshje dhe të 29-tën për këtë sezon, ndërsa Alphonso Davies kontribuoi me një gol vetëm dy minuta më vonë.
Mesfushori kosovar i huazuar nga Lazio, Valon Berisha, hyri në lojë në minutën e 57-të, kur rezultati veçse ishte vendosur. Ai tentoi t’i ndihmojë skuadrës së tij në minutat e mbetur të ndeshjes, mirëpo nuk arriti të bëjë diçka për ta zvogëluar epërsinë e Bayernit.
Kjo fitore bindëse e Bayernit bën që ata ta përforcojnë pozitën si lider të Bundesligës me dhjetë pikë para Dortmundit, që megjithatë s’e ka zhvilluar ende ndeshjen e kësaj xhiroje. Bayerni do të përballet me një test më të vështirë xhiron e ardhshme pasi që do të përballet me Bayer Leverkusenin, që radhitet i treti në ligë.
Në anën tjetër, Dusseldorfi i Berishës radhitet në pozitën e 16-të në tabelën e Bundesligës dhe rrezikon që në fund të sezonit të bjerë nga liga.