Hierarkia e Bayern Muenchenit pret që ekipi të bëjë hapin e radhës, që do të jetë finalja e Kupës së Gjermanisë që luhet të shtunën, përpara se të përpiqet të triumfojë edhe në Ligën e Kampionëve në muajin e ardhshëm.
Me një fjalë, drejtuesit e Bayernit po presin që ekipi këtë edicion ta mbyllë me “tripletë”, duke pasur parasysh se tashmë e ka fituar titullin e Gjermanisë dhe është në garë për kupën e këtij vendi dhe Ligën e Kampionëve.
Një sukses të tillë, Bayerni për herë të fundit e kishte arritur në edicionin 2012/13 nën drejtimin e trajnerit Jupp Heynckes. Shtypi gjerman e quajti Bayernin ndryshe si “FC Nimmersatt” (kurrë të kënaqur), pasi javën e kaluar e festoi titullin e tetë rresht në Bundesligë, saktësisht të 30-n në historinë e klubit.
“Ekipi është në gjendje kaq të mirë sa ata janë në gjendje të fitojnë çdo trofe këtë sezon”, paralajmëroi presidenti i Bayernit, Herbert Hainer. Para se të sfidojë Evropën dhe një përsëritje të mundshme të “tripletës” të vitit 2013, Bayerni do të përballet me Bayer Leverkusenin në Berlin, në finalen e Kupës së Gjermanisë që zhvillohet të shtunën.
Në fakt, bavarezët këtë edicion kanë një humbje nga Bayer Leverkuseni, ekip që gjithashtu po synon këtë edicion ta mbyllë me një sukses.
Drejtori sportiv i Leverkusenit, Rudi Voeller ka premtuar një “luftë të madhe” kundër Bayernit, pasi ata përpiqen të përsërisin fitoren befasuese që e arritën në nëntor në Bundesligë, kur sulmuesi i krahut, Leon Bailey shënoi dy herë në stadiumin “Allianz Arena” për triumfin 2:1. Nëse triumfon në Kupë, atëherë Bayerni për herën e 13-të në histori të klubit do të fitojë titullin dhe kupën.
“Ne do të sfidojmë gjithçka, pasi këto janë edhe synimet tona për këtë edicion”, insistoi trajneri i Bayernit, Hansi Flick, që mori drejtimin e ekipit në mes të sezonit pas shkarkimit të Niko Kovaqit. “Te Bayerni, gjithmonë mendojmë për gjëra apo suksese të mëdha.
Pas triumfit në kampionat, fokusi tash është te kupa. Pas kupës është e rëndësishme që ekipi të pushojë paksa përpara se të përgatitet intensivisht për Ligën e Kampionëve. Edhe kjo garë është synimi ynë”.