BB: Turizmi në Shqipëri vuan informalitetin

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Raporti i Bankës Botërore mbi financat publike në Shqipëri thekson se turizmi paraqitet si një sektor me rritje shumë të shpejtë të aktivitetit, por me kontribute fiskale dhe strukturore më të dobëta se potenciali i tij.

Sipas të dhënave historike, arritjet turistike shkuan në 10.1 milionë në vitin 2022, 33 herë më shumë se në vitin 1995, ndërsa rritja mesatare vjetore gjatë periudhës 2014–2023 ishte rreth 20%. Punësimi i lidhur me turizmin arriti në 45,000 persona në vitin 2021, trefish krahasuar me vitin 2004, duke përfaqësuar 4% të punësimit total. Në të njëjtin vit, shërbimet e tregtisë, transportit, mikpritjes dhe fushave të lidhura kontribuan me 16% të PBB-së dhe 27% të punësimit total. Infrastruktura turistike u zgjerua ndjeshëm, me 97,000 shtretër në vitin 2022, një rritje 18-fish krahasuar me vitin 2004, ndërsa shpenzimet nga turizmi hyrës përbënin 17% të PBB-së dhe 46% të eksporteve totale.

Megjithatë, të dhënat tregojnë një shkëputje të qartë midis rritjes së flukseve turistike dhe formalizimit të sektorit. Numri total i ndërmarrjeve në ekonomi u rrit nga rreth 180 mijë në vitin 2019 në afërsisht 245 mijë në vitin 2023, por pesha e ndërmarrjeve turistike ndaj totalit ra nga 11.4% në vitin 2019 në 10.6% në vitin 2020, 9.4% në vitin 2021, 8.3% në vitin 2022 dhe vetëm 7.9% në vitin 2023. Kjo tregon se, edhe pse aktiviteti turistik u rimëkëmb fuqishëm pas pandemisë, sektori i akomodimit dhe shërbimeve ushqimore nuk u zgjerua në të njëjtin ritëm si pjesa tjetër e ekonomisë, duke reflektuar probleme strukturore dhe nivele të larta informaliteti.

Struktura e ndërmarrjeve turistike sipas madhësisë e përforcon këtë përfundim. Gjatë gjithë periudhës 2019–2023, rreth 86–88% e firmave në turizëm kishin 1–4 punonjës, rreth 8–9% kishin 5–9 punonjës, ndërsa vetëm 4–5% kishin 10 ose më shumë punonjës. Kjo shpërndarje mbetet pothuajse e pandryshuar ndër vite, duke treguar mungesë konsolidimi dhe kalimi drejt bizneseve të mesme dhe të mëdha. Dominimi i njësive shumë të vogla sugjeron një sektor të fragmentuar, shpesh familjar ose individual, ku rritja e aktivitetit realizohet pa rritje proporcionale të punësimit formal dhe kapaciteteve organizative.

Këto zhvillime ndihmojnë të shpjegohet pse rritja e shpejtë e turizmit nuk është reflektuar në të ardhura më të larta tatimore. Në vitin 2023, të ardhurat nga tatimi mbi qiratë arritën rreth 4.8 miliardë lekë, ose 0.2% të PBB-së, afërsisht në të njëjtin nivel si në vitin 2018, pavarësisht se të ardhurat nga qiratë afatshkurtra u rritën rreth gjashtë herë gjatë së njëjtës periudhë.

Vetëm në vitet 2023–2024, pas masave të synuara të administrimit tatimor, të ardhurat e deklaruara nga qiratë u rritën nga 8.7 miliardë lekë në 12.6 miliardë lekë, një rritje prej 3.9 miliardë lekësh ose 45%, ndërsa numri i tatimpaguesve u rrit nga 2,683 në 5,417, ose 102%.

Raporti thekson se formalizimi i qirave afatshkurtra, forcimi i administrimit dhe konsolidimi i sektorit janë kyçe që turizmi të shndërrohet nga një motor i flukseve turistike në një burim të qëndrueshëm të ardhurash fiskale dhe zhvillimi ekonomik./ Ekofin.al

Share This Article