Pas akuzave për seksizëm, multimediali britanik BBC pranoi të premten se kishte përdorur një titull “të papërshtatshëm” në një artikull në lidhje me dorëheqjen e kryeministres së Zelandës së Re Jacinda Ardern.
Në titull, grupi i transmetimit vuri në dyshim nëse gratë “mund t’i kishin të gjitha”.
Jacinda Ardern, 42, njoftoi të enjten se do të largohej nga detyra në fillim të shkurtit pas pesë vjet e gjysmë në pushtet, duke thënë se “nuk ka më energji” për të kandiduar për një mandat të ri.
Duke mbuluar njoftimin, kanali BBC World më pas ndau një artikull në rrjetet e tij sociale me titull: “Jacinda Ardern jep dorëheqjen: a mund t’i kenë gratë vërtet të gjitha?”.
Formulimi krijoi një bujë në mediat sociale, me shumë përdorues të internetit që dënuan titullin për seksizëm.
“Ne e kuptuam shpejt se titulli origjinal nuk ishte i përshtatshëm dhe e ndryshuam atë. Ne kemi fshirë gjithashtu tweet-in që lidhet me artikullin”, tha një zëdhënës i BBC për AFP-në të premten.
“Në cilën botë jetoni?”, pyeti një përdorues i zemëruar në Twitter. “Është turp @BBCWorld”, denoncoi një tjetër. “Jacinda Ardern ka qenë një lidere dhe heroinë ndërkombëtare për një kohë të gjatë. Falë saj, shumë gra të tjera kanë aspirata më të mëdha dhe do të përjetojnë sukses më të madh. Ajo i bëri të gjitha”.
Gjatë mandatit të saj, Jacinda Ardern u përball me pandeminë COVID-19, një shpërthim vullkanik vdekjeprurës dhe sulmin më të keq të vendit, vrasjen e 51 besimtarëve myslimanë në një xhami në Christchurch nga një supremacist i bardhë në vitin 2019.
Shumë popullore jashtë shtetit, ku ajo ka zbukuruar kopertinat e revistave Vogue dhe Time, Ardern prej kohësh ka shijuar vlerësime rekord të pëlqimit edhe në Zelandën e Re, ku mediat ndonjëherë e kanë cilësuar edhe si “Jacindamania”.