Bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francë si zona rekrutimi. Kështu raporton BBC, duke saktësuar se kriminelët vetofrohen t’u paguajnë kalimin ilegal të atyre personave që pranojnë të punojnë në industrinë e drogës pasi të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në Francë ka gjithmonë njerëz që të presin. Të gjithë në këtë botë e dinë se ku të shkojnë nëse duan që të kalojnë në Angli”, citohet emigranti shqiptar nga BBC. Në vëmendje të medias publike britanike ka përfunduar fshati Laknas, jo shumë larg kryeqytetit, për të cilin thuhet se 70 për qind e banorëve kanë emigruar për në Britani.
Problemet në ekonomi dhe korrupsioni sistematik raportohen si shkaqet kryesore që po largojnë shqiptarët nga vendi. Media britanike sjell dhe rastin e një nëne nga Laknasi, të cilës i ka emigruar djali për në Mbretëri të Bashkuar me një mënyrë më të ndërlikuar, pasi nuk kishte para të paguante për udhëtimin me gomone. Për të, garantor kishte dalë një i afërm që jetonte prej vitesh në shtetin ishull.
“Ai u lagua për një jetë më të mirë. Bëmë sakrificë të madhe. Tani jemi në borxh dhe duhet ta shlyejmë atë”, citohet nëna e emigrantit nga Laknasi.
Por ofertat për ta përfshirë në skemën e skllavërisë moderne nuk i kishin munguar gjatë qëndrimit në brigjet franceze. “Ata ofronin shumë gjëra. Më thanë se do të ma paguanin udhëtimin me gomone, se do më garantonin një punë. Por nuk isha i interesuar”, citohet emigranti shqiptar.
Emigrantë të shpëtuar në mes të detit. Sipas Britanisë së Madhe, 12 mijë shqiptarë kanë hyrë në vend përmes gomoneve gjatë vitit 2022.
BBC, mes tjerash shkruan dhe për fuqizimin e rolit të grupeve shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore në Francë, dhe frikën e autoriteteve atje se kjo do të përfundojë në një konflikt të dhunshëm me rivalët irakianë dhe kurdë që kontrollojnë 80 për qind të trafikut ilegal në La Mansh.
Qeveria britanike thotë se vetëm këtë vit, 12 mijë shqiptarë kanë hyrë në vend përmes gomoneve, shumica burra apo djem të rinj. Këto shifra kanë ngjallur një debat në shtetin ishull, me ministra që kanë thënë shprehimisht se vendin “po e pushtojnë kriminelët shqiptarë”.