Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell deklaroi sot se Bashkimi Evropian është duke monitoruar zhvillimet në Tunizi me shumë vëmendje.
“Rrënjët demokratike të vendit, respekti për shtetin e së drejtës, Kushtetuta dhe korniza legjislative duhet të mbrohen duke qëndruar të vëmendshëm ndaj dëshirave dhe aspiratave të popullit tunizian”, deklaroi Borrell.
“Ne bëjmë thirrje për rivendosjen e stabilitetit institucional sa më shpejt të jetë e mundur dhe në veçanti për rifillimin e veprimtarisë parlamentare, respektimin e të drejtave themelore dhe heqjen dorë nga të gjitha format e dhunës”, tha ai.
“Ruajtja e demokracisë dhe stabiliteti i vendit janë përparësi”, shtoi Borrell.
Presidenti tunizian, Kais Saied ka lëshuar një dekret presidencial për të shkarkuar kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së vendit.
Presidenca njoftoi se kryeministri Hichem Mechichi dhe ministri i Mbrojtjes, Ibrahim Bartagi, si dhe ministri i përkohshëm i Drejtësisë, Ben Slimane, që nga 25 korriku u liruan nga detyrat e tyre.
Të dielën, Saied rrëzoi qeverinë e kryeministrit Michichi, bllokoi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.
Presidenti tunizian tha se do të pezullojë imunitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit dhe se do të marrë kontrollin e zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Ai pretendoi se i kishte marrë vendimet pasi ishte konsultuar me kryeministrin Mechichi dhe kryeparlamentarin Rached Ghannouchi.
Ghannouchi, nga ana e tij, lëvizjet e presidentit i përshkroi si asgjë tjetër përveç “një grusht shtet i plotë” kundër kushtetutës tuniziane, revolucionit dhe lirive në vend.
Tunizia që nga 16 janari është përfshirë nga një krizë e thellë pasi Mechichi njoftoi një riorganizim të kabinetit, por Saied refuzoi të mbajë një ceremoni për të betuar ministrat e rinj.
Tunizia po ashtu përballet me një përhapje të paparë të llojeve të koronavirusit të ri (COVID-19) në shumicën e shteteve, duke shkaktuar një përhapje të shpejtë të virusit.
Tunizia shihet si i vetmi vend arab që arriti të kryejë tranzicion demokratik midis vendeve të tjera arabe që po ashtu dëshmuan revolucione popullore që rrëzuan regjimet në pushtet, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin.