BE-ja kërcënon me sanksione shtesë Lukashenkon

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione ndaj presidentit të kontestuar të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, nëse nuk fillon dialogun me opozitën dhe nuk pushon së përdoruri dhunën ndaj protestuesve.

“BE-ja u bën thirrje autoriteteve bjelloruse të kërkojnë një zgjidhje paqësore dhe demokratike të krizës përmes një dialogu më të gjerë kombëtar dhe mbështet planin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë për të ndërmjetësuar dialogun”, tha Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit pas një takimi të mbajtur sot në Luksemburg.

Në fillim të këtij muaji, udhëheqësit e BE-së vendosën sanksione ndaj 40 zyrtarëve bjellorusë, të cilët BE-ja i konsideron përgjegjës për dhunën kundër protestuesve paqësorë, zyrtarëve të opozitës e gazetarëve dhe për sjelljen e keqe gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti.

Sipas rezultateve zyrtare, Lukashenko fitoi zgjedhjet më 9 gusht bindshëm dhe fitoi mandatin e gjashtë, por opozita beson se zgjedhjet u manipuluan. Rezultatet e zgjedhjeve nuk i kanë njohur as BE-ja dhe SHBA-ja.

Ministrat e BE-së përsëritën se zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi nuk ishin as të lira as të drejta, dhe se Lukashenko, një aleat i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka asnjë legjitimitet demokratik dhe ata mbështetën thirrjet për përsëritjen e zgjedhjeve.

Dhjetëra-mijëra njerëz protestuan në Minsk të dielën, javën e dhjetë me radhë, duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos, i cili ka drejtuar vendin me një dorë “të hekurt” për 26 vjet.

Sipas vlerësimeve të grupit të të drejtave të njeriut “Vesna”, ishin 100.000 njerëz në protestë, të cilët policia u përpoq t’i shpërndajë me topa uji dhe shkopinj, duke plagosur dhjetëra prej tyre. 

Share This Article