Brukseli paraqiti dje planin e tij për të përgatitur një dalje të koordinuar nga kontrolli dhe për të shmangur problemet e fillimit të pandemisë së koronavirusit të ri.
“Mungesa e koordinimit në heqjen e masave kufizuese rrezikon të ketë efekte negative në të gjitha shtetet anëtare dhe shkaktimin e fërkimeve politike mes tyre”, shkruhet në dokumentin e Komisionit Europian me rekomandimet për vendet anëtare.
Dokumenti përcakton tre kritere daljeje: një rënie të zgjatur të përhapjes së virusit, një sistem shëndetësor të pajisur sa duhet për të përballuar një rritje të infektimeve pas heqjes së masave dhe aftësi të mjaftueshme testimi.
Masat emergjente të vendosura nga vendet e ndryshme, disa prej të cilave kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duhet të zëvendësohen gradualisht me ndërhyrje më të synuara, për të garantuar respektimin e demokracisë.
Heqja e kontrolleve në kufijtë e brendshëm të BE-së duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe rihapja e kufijve të jashtëm, mbyllja e të cilave duhet të zgjatet deri më 15 maj, duhet të bëhet në një hap të dytë.
Komisioni, gjithashtu, konsideron se popullata nuk duhet të kthehet në vendin e punës në të njëjtën kohë.