Bashkimi Evropian është duke e diskutuar pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të fokusohet më së shumti në përpjekjet për ta parandaluar anashkalimin e sanksioneve për Rusinë përmes vendeve të treta.
Por, sipas propozimit të Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së, për të cilin po diskutojnë vendet anëtare, në këtë pako do të shtohen edhe emra të rinj të personave dhe kompanive në listën e sanksioneve.
Në këtë pako, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, është përfshirë edhe mediumin ‘RT Balkan’, i cili transmetohet nga Serbia, ku edhe është i regjistruar.
Kanali RT (Russia Today), që është nën kontrollin e plotë të qeverisë ruse, ka qenë nën sanksione të perëndimit edhe më herët.
Por, ‘RT Balkan’ është paraqitur sikur të jetë një ‘entitet në vete’ i regjistruar në territorin e Serbisë. Tani, BE-ja dëshiron që formalisht në listën e sanksioneve ta përfshijë ‘RT Balkan’ për të mos lënë asnjë dyshim mbi atë se ky medium konsiderohet si vegël e Rusisë për përhapje të propagandës në rajonin e Balkanit perendimor.
Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian kishte shprehur shqetësim se Serbia po përdoret si hapësirë për përhapjen e propagandës së Rusisë në rajonin e Ballkanit Perendimor me qëllim të dëmtimit të demokracisë dhe të interesave të Bashkimit Evropian.
Një grua duke kaluar pranë një murali me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe mbishkrimin ‘vëlla’(brat).
Serbia, përveç kësaj, është kritikuar vazhdimisht për refuzim të mbështetjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.