Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë ka reaguar ndaj kremtimit të Ditës së Shtetësisë Serbe në Republikën Serbe, e cila për herë të parë këtë vit u festua në Banja Llukë si dita e shtetësisë së këtij etniteti.
Në reagim thuhet se “Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës thotë qartë: Bosnja dhe Hercegovina është një shtet i vetëm dhe sovran i përbërë nga dy entitete, Federata e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republika Serbe, si dhe Distrikti Brçko”.
Delegacioni i BE-së thotë se duhet respektuar sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Bosnje-Hercegovinës.
“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit në rrugën evropiane. Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe thellojnë ndarjet politike. Ne presim që të gjithë partnerët ndërkombëtarë të jenë njëlloj të përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjë dhe Hercegovinës si një vend i vetëm, i pandashëm dhe sovran.”
Delegacioni i BE-së i bën thirrje aktorëve politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të përmbahen nga veprimet që thellojnë ndarjet dhe krijojnë tensione, duke rikujtuar rrugën evropiane të vendit, pas vendimit të Këshillit Evropian në mars 2024 për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Në vend të kësaj, ne i inkurajojmë ata të fokusohen tërësisht në përparimin në rrugën evropiane, me të gjitha përfitimet që kjo do t’u ofronte qytetarëve”, përfundon reagimi./Kosovapress