Teksa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit, pas zgjedhjes së 3 kryetarëve të rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, BE ka nisur tentativat për të mundësuar një takim mes krerëve të dy vendeve Kosovë-Serbi.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, sipas burime diplomatike të siguruara nga REL, po përpiqet që të organizojë një takim ‘ad hoc’ mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Kosovës Aleksandër Vuçiç.
Nuk ka konfirmime nga palët nëse janë apo jo të gatshme për një takim të tillë.
Bratislava është përmendur si vend i mundshëm për takim, pasi dy udhëheqësit janë të ftuar të marrin pjesë në një konferencë për sigurinë globale që po zhvillohet në këtë vend.
Situata në veri të Kosovës u agravua ditën e hënë (29 maj) ku në përleshjet midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë mbetën të plagosur 25 ushtarë të KFOR-it.
Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të herëpashershme për dialog mes palëve, dhe ç’tensionim të situatës. Pak më parë, reagoi dhe Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili dënoi dhunën ndaj trupave të KFOR në veri të Kosovës.
“BE-ja dënon dhunën tronditëse të sotme në #Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm. Veprat e dhunshme të kryera ndaj @NATO_KFOR trupat, mediat, civilët dhe policia janë absolutisht të papranueshme.
BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që menjëherë dhe pa kushte të de-përshkallëzojnë situatën. Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes Dialogut”, shkruante Borrell.
Protestat në veri të Kosovës, nisën fill pas zgjedhjes së 3 kryetarëve të komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.