BE i ka vendosur vetes tre qëllime, për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit të ardhshëm në lidhje me marrëdhëniet e saj të ardhshme me Britaninë e Madhe, pas largimit të kësaj të fundit nga Bashkimi Evropian, tha negociatori i tij, Michel Barnier.
“Rënia dakord dhe ratifikimi i një marrëdhënie pas Brexit deri në fund të vitit 2020, siç kërkohet nga kryeministri britanik, Boris Johnson, do të jetë një sfidë e madhe, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, edhe nëse nuk do të mund të realizojmë gjithçka”, deklaroi ai.
“Për çështjet ndërkombëtare, BE do të vazhdojë të angazhohet pozitivisht me Britaninë e Madhe, si në mënyrë bilaterale, ashtu edhe në forume globale, si OKB, OBT dhe G20”, siguroi Barnier.
“Siguria do të jetë më problematike, sepse thjesht nuk është e mundur një bashkëpunim i së njëjtës shkallë për shkëmbimin e të dhënave me një vend të tretë, që është jashtë zonës së Shengenit”, paralajmëroi më tej ai.
“Në fund, çdo marrëveshje e tregtisë së lirë duhet të parashikojë rregulla të drejta për standardet, ndihmën shtetërore dhe çështjet e taksave”, këmbënguli negociatori i BE.
Michel Barnier theksoi se nëse arrihen këto tre qëllime, do të thotë se të dyja palët do ta kenë shfrytëzuar në maksimum vitin e ardhshëm./ATSH/