Lojtari i Uest Hemit, Lukas Paketa ka arritur marrëveshje personale me Flamengon për një transferim të mundshëm surprizë, megjithatë realizimi i lëvizjes mbetet ende në dorën e klubeve, raportojnë burime pranë bisedimeve që janë kryer.
Konkretisht, sipas informacioneve, mes mesfushorit brazilian dhe klubit nga Rio de Janeiro tashmë ekziston dakordim për kushtet personale, ndërsa Flamengo po pret përgjigjen e Uest Ham, i cili aktualisht mban në pronësi kartonin e futbollistit brazilian.
Negociatat mes dy klubeve janë në zhvillim, por Uest Ham insiston që Paquetá të qëndrojë në Londër deri në muajin qershor, ndërsa Flamengo po përpiqet të gjejë një formulë për ta rikthyer atë më herët në Brazil.
E ardhmja e Paquetás pritet të qartësohet në ditët në vijim, ndërsa ky transferim do të përbënte një rikthim të bujshëm për lojtarin te klubi ku nisi karrierën e tij profesionale.


