Ultimatumi i lëshuar nga drejtori sportiv i Milanit në faqet e La Gazzetta dello Sport nuk u prit mirë nga klubi belg, i cili nuk është i prirur ta pranojë propozimin e fundit.
AC Milan dhe Club Brugge po zhvillojnë një luftë të vërtetë nervash për transferimin e Ardon Jasharit. Negociatat kanë nisur prej gati dy muajsh dhe ende nuk kanë marrë një përfundim, ndërsa fundjava solli një kthesë të re me deklaratat e Igli Tares që paraqiti një ofertë të përmirësuar dhe ultimative për mesfushorin.
Milani e ka rritur ofertën në 33.5 milionë euro plus bonuse, duke garantuar një shumë fikse prej 35 milionë eurosh për Club Brugge. Me 3 milionë euro bonuse shtesë, marrëveshja mund të arrijë në gati 40 milionë euro. Tare e cilësoi këtë si një ofertë “pranoje ose lëre”, dhe klubi italian priste një përgjigje deri të dielën, por ajo nuk ka mbërritur ende.

Sipas gazetarit Matteo Moretto, fakti që Tare foli pak para ndeshjes së Brugge ndaj Genkut ka shkaktuar irritim te drejtuesit belgë. Ata e interpretuan këtë si presion publik, edhe pse më herët kishin bërë deklarata provokuese vetë ndaj Milanit.
Në të njëjtën kohë, sjellja e Jasharit ka shkaktuar shqetësime te klubi: ai mungoi në ndeshje dhe stërvitje për javë të tëra, sinjalizoi hapur dëshirën për t’u larguar, dhe nuk shqyrton oferta të tjera, pavarësisht kontratës që e lidh me klubin deri në qershor 2029.
Sipas Het Laatste Nieuws, Club Brugge pritet që brenda 24 orëve të ardhshme t’i japë një përgjigje përfundimtare Milanit. Mediumi belg thekson se, me shumë gjasë, përgjigja do të jetë negative, pavarësisht se e vlerësojnë ofertën e përmirësuar të kuqezinjve.

Drejtuesit e Brugge nuk dëshirojnë të duken sikur janë dorëzuar nën presion dhe vazhdojnë të kërkojnë 40 milionë euro të garantuara.
Tashmë, pas shitjeve të rëndësishme të lojtarëve si De Cuyper, Talbi dhe Jutgla për 45 milionë euro, ata nuk ndiejnë nevojën të heqin dorë nga një lojtar kyç si Jashari në këtë fazë.