Belgjika e vendosur për start të fuqishëm në Rusi

albnews
By
7 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Rrugëtimi, që për shumë njerëz vlerësohet final për gjeneratën e artë të Belgjikës, do të fillojë pa dy prej lojtarëve më të rëndësishëm. Belgjika të shtunën mbrëma (21:00) e luan ndeshjen e parë në “Euro 2020”. Takohet me Rusinë në St. Petersburg, ndërsa belgët do të jenë pa liderin Kevin de Bruyne e me shumë mundësi edhe pa Eden Hazardin.

Janë dy lojtarët që kanë udhëhequr gjeneratën e vlerësuar lart të Belgjikës.

Belgjika kthehet në St. Petersburg, aty ku ëndrrat për triumf në “Botërorin 2018” iu shuan nga Franca. Belgët kthehen si të parët në ranglistën botërore, që e mbajnë që nga tetori i vitit 2018.

De Bruyne kishte pësuar disa lëndime serioze në fytyrë në finale të Ligës së Kampionëve në mes të Manchester Cityt dhe Chelseat. Ai i është nënshtruar një operimi të vogël dhe ka pasur një program të veçantë ushtrimesh. De Bruyne nuk ka udhëtuar fare për në St. Petersburg.

Selektori Robert Marinez pret që De Bruyne të jetë gati për Belgjikën në ndeshjen e dytë, ndaj Danimarkës më 17 qershor në Kopenhagë. Me shumë mundësi do të luajë me maskë të vënë.

Ndërkohë Eden Hazard nuk është në gjendjen më të mirë fizike dhe ka pak gjasa të startojë ndaj Rusisë, por edhe në ndeshjet e tjera. Ai ka pasur një edicion të dështuar te Real Madridi dhe ishte vetëm rezervist në ndeshjet përgatitore të Belgjikës.

Martinez ka thënë se Hazard duhet ende të gjejë intensitetin e lojës. Kështu që me shumë mundësi do të jetë në stol ndaj Rusisë, shanset e së cilës për një fitore të befasishme janë rritur.

Natyrisht Belgjika ka shumë më tepër për të ofruar. Janë aty golat e Romelu Lukakut, aftësia organizative e mesfushorit Youri Tielemans, vrapimet në krah të Thomas Meunierit, konsistenca e portierit Thibaut Courtois. Përvoja e gjatë e skuadrës do të ketë rëndësi kur vjen puna te situatat me presion, sidomos në një turne të madh.

Ka brenga për atë se Belgjika ka ekipin me moshën më të lartë në Evropian, me mesatare prej 28.7 vjetësh. Dhe Evropiani mbahet në fund të një edicioni të gjatë. Por shumë presin që Belgjika ta fitojë trofeun e parë të madh.

Me shumë rëndësi natyrisht është fillimi i mbarë ndaj Rusisë, që natyrisht ka planet e veta.

Pra Belgjika do të jetë pa yllin De Bruyne në ndeshjen e saj hapëse. De Bruyne vazhdon rikuperimin, ndërsa mungon edhe Axel Witsel me një lëndim.

Rusia po ashtu ka mungesa. Mesfushori Andrei Mostovoy doli pozitiv në testin për COVID-19 dhe është zëvendësuar nga Roman Yevgenyev.

Sulmuesi i Rusisë, Artem Dzyuba ka 29 gola ndërkombëtarë dhe është vetëm dy larg që të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të Rusisë.

“Ka pak nervozë, por disi është e këndshme pasi bëhet fjalë për një turne të rëndësishëm. Si çdo lojtar, unë do të doja të shënoja, por suksesi i ekipit është primar”, ka thënë Dzyuba.

“Belgjika është shumë e fortë, e disiplinuar dhe e organizuar. E di se çka pritet nga unë në ndeshje. Ne kemi përvojë dhe kemi analizuar të gjitha gjërat”. Kjo është përballja e gjashtë në mes të Belgjikës dhe Rusisë në ngjarje të mëdha, por e para në Evropian. Rusia ka fituar dy ndeshjet e para, në Botërorët 1970 dhe 1982, si pjesë e Bashkimit Sovjetik. Belgjika ka dominuar në tri ndeshjet e tjera.

Belgjika

Belgjika ishte ekipi i parë i kualifikuar në “Euro 2020”. Po merr pjesë në Evropianin e gjashtë. Është vetëm hera e dytë që Belgjika është kualifikuar dy herë rresht në Evropian. Për herë të parë këtë e kishte arritur në vitet 1980 dhe 1984.

Prejse ishte mposhtur nga Gjermania Perëndimore në finale në vitin 1980, Belgjika asnjëherë nuk ka zënë vend në katër të parat në Evropian.

Asnjë prej 12 ndeshjeve të fundit të Belgjikës në kampionate evropiane nuk ka përfunduar me barazim. Kjo seri ka nisur në finalen e vitit 1980.

Belgjika së bashku me Italinë ishin ekipet e vetme që i kanë fituar të gjitha ndeshjet në kualifikime. Belgët kanë shënuar më së shumti gola – 40, ndërsa kanë pranuar vetëm tre gola.

Romelu Lukaku është golashënuesi më i mirë i Belgjikës në ngjarje të mëdha. Ka shënuar shtatë gola në 15 ndeshje. Gjashtë prej këtyre golave janë shënuar në fazë grupore.

“Pajtohem që ndeshja e parë shpesh është më e vështira në turne të mëdhenj. Ju duhet të hyni në turne në aspektin psikologjik dhe fizik. Do të jetë një test i vërtetë ndeshja me Rusinë. E njohim këtë ekip shumë mirë. Por edhe rusët na njohin, ndërsa e kanë përkrahjen e shikuesve”, ka thënë selektori i Belgjikës, Roberto Martinez.

Rusia

Si pjesë e Bashkimit Sovjetik, Rusia ka fituar Evropianin e parë në vitin 1960. Në finale fitoi 2:1 ndaj Jugosllavisë, pas kohës shtesë. Më pas rusët humbën tri finale, në vitet 1964, 1972 e 1988.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, paraqitja më e mirë e Rusisë në Evropian erdhi në vitin 2008, kur arriti në gjysmëfinale. Ishte mposhtur 3:0 nga Spanja që fitoi atë Evropian.

Vetëm Harry Kane (17) ishte i përfshirë në më shumë gola se Artem Dzyuba në kualifikime për “Euro 2020”. Dzyuba ishte i përfshirë në 14 gola. Shënoi nëntë e asistoi në pesë të tjerë. “Belgjika i ka 18 lojtarë që ishin në ‘Botërorin 2018’. Qartë se është ekip i fortë. Kemi luajtur me belgët tri herë në vitet e fundit dhe të gjitha ndeshjet ishin interesante. Duhet të luajmë në maksimumin tonë për të qenë të suksesshëm”, ka thënë selektori i Rusisë, Stanislav Cherchesov.

Belgjika – Rusia

E shtunë, 21:00

Saint Petersburg Stadium, St. Petersburg

Arbitër: Antonio Mateu Lahoz

Përbërjet e mundshme

Belgjika: Courtois; Alderweireld, Vertonghen, Denayer; Meunier, Dendoncker, Tielemans, T Hazard; Mertens, Lukaku, Doku

Rusia: Shunin; Mário Fernandes, Barinov, Dzhikiya, Semenov, Karavaev; Zobnin, Ozdoev, Golovin; Miranchuk; Dzyuba

Share This Article