Në “Intervistë me Merita Haklaj”, Belind Këlliçi, hodhi idenë që PD-ja mund të drejtohet edhe nga 3 apo nga 5 persona që ta përgatisë partinë për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
“Është momenti që çdo i ri të shprehë ambiciet në PD. Në lidhje me aspiratën time personale, e them sinqerisht që nuk e kam pasur këtë objektiv. Unë e shoh karrierën hap pas hapi. Por nuk duhet që në asnjë mënyrë ne të frenojmë ambicien e askujt, qoftë edhe ambicien për kryetar. Kushdo që do të garojë të provojë mbështetjen që ka te demokratët. Sigurisht, nuk jam hipokrit, si shumë të tjerë që pretendojnë ndryshe, që t’iu them se përballë Berishës në këtë moment që ne flasim, është e mundshme fitorja.
Kryetari i ri duhet të zgjidhet para zgjedhjeve vendore. Duhet të kemi një lidership të qartë. Duhet të kem pikëpyetjen nëse duhet të jetë një triumvirat apo një individ. Mund të ketë një grup kolegjial, mund të ketë 3 drejtues, apo 5, sepse ne kemi funksionuar edhe me Komisionin e Rithemelimit. Megjithatë, këto janë çështje që i takojnë kuvendit të datës 30 të vendosë.
Ne duhet të kemi një lidershipi të qartë të paktën deri më 30 qershor për të bërë të mundur që në shtator partia të jetë kompakte dhe ne të fillojmë fushatën për zgjedhjet vendore”, tha Këlliçi. /A2