Profesori amerikan, Alon Ben Meir, ka komentuar deklaratën e vendeve të Quint-it rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ben Meir ka shkruar në Twitter se nëse Kosova dhe Serbia dëshirojnë të jenë në Bashkimin Evropian duhet të fillojnë menjëherë dialogun, transmeton rtk.
“Kosova dhe Serbia duhet ta dinë se pesë shtetet e NATO-s dhe Quint-it (SHBA, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe) janë aleatët e tyre, dhe nëse ato nuk duan pengesa në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, duhet të përfshihen në dialog të ndërmjetësuar, i cili ka ngecur që nga viti i kaluar”, ka shkruar profesori amerikan.
Ben-Meir është një ekspert për politikat dhe çështjet e Lindjes së Mesme, i specializuar në negociatat ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve. Gjatë dy dekadave të fundit, Ben-Meir është përfshirë drejtpërdrejt në negociatat për paqe ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite.