Edhe pse ishte trajner i Liverpoolit në një epokë të lavdishme, Rafa Benitez e ka udhëzuar Chelsean se si t’i mposhtë në finalen e FA Cup që zhvillohet edhe pak çaste.
Strategu spanjoll i ka bërë me dije Thomas Tuchelit se nëse starton me Kai Havertzin para Romelu Lukakut në sulm, do të ketë më shumë shanse që ta shpartallojë mbrojtjen e The Reds.
Duke folur për “The Times”, Benitez, i cili fitoi FA Cup në 2006 me Liverpoolin, insiston se Havertz sjell më shumë lëvizshmëri që do të shqetësonte qendërmbrojtësit e “Të Kuqve”, të cilët me gjasë do të jenë Virgil van Dijk dhe Ibrahima Konate.
“Liverpooli ka qendërmbrojtës që janë të mëdhenj, të fortë dhe të mirë në lojën me kokë, dhe për shkak të këtyre karakteristikave unë mendoj që nëse do të jenë përballë një lojtari si Kai Havertz do t’iu shkaktojë atyre më shumë probleme se sa një lojtar me një rol të caktuar”, ka deklaruar spanjolli.
“Havertz është më i lëvizshëm, ku qëllimi i tij do të jetë t’i largoj nga pozicioni i tyre lojtarët e Liverpoolit, dhe ai do të përkrahej nga dy lojtarë nga pas”.
“Lukaku ishte një sukses i madh te Interi sepse kishte luajtur sipas mënyrës së Antonio Contes, por Chelsea ka më shumë opsione në sulm”, shtoi Benitez, që po ashtu kishte qenë edhe trajner i Chelseat, duke fituar Ligën e Evropës në vitin 2013.