Lulzim Basha, është shfaqur optimist para anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, duke theksuar se pas djegjeve të mandateve opozita është shumicë absolute. Për këtë bindje, kryetari i demokratëve i është referuar sondazheve, ndërsa ka kërkuar nga strukturat angazhim maksimal që protesta e 13 prillit të jetë më masivja. Në mbështetje të Bashës ishte dhe Berisha i cili ndër të tjera është shprehur se ditën kur PD do të fitojë zgjedhjet, kundërshtarët do ti kërkojnë ndjesë.
Organizimi i protestës së 13 prillit, ka vënë në lëvizje strukturat e Partisë Demokratike.
Lulzim Basha thirri në një takim Kryesinë e më pas edhe Këshillin Kombëtar bashkë më ish-deputetët, ku ju ka kërkuar angazhim për të bindur qytetarët që të bashkohen në shesh para Kryeministrisë.
Burime të besueshme i thanë Televizionit Ora, se ish-kryeministri Sali Berisha, ka folur në mbledhje ndërsa ka theksuar se opozita sot është shumicë.
Përtej kësaj ai ka pasur edhe një këshillë për zëvendësuesin e tij.
Berisha: Eshtë normale që partia të dalë edhe mbi liderin. Lider bëhesh ditën që çon partinë në fitore dhe fiton zgjedhjet. Deri kur të shkosh në atë moment, shpesh të duhet ti futesh detit në këmbë. Atëherë kur do të fitosh zgjedhjet të gjithë do të kërkojnë ndjesë.