“Ergys Agasi është terrorist, ka marrë dy qytetarë peng për llogari të Ramës dhe familjes së tij”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në seancën fundit parlamentare të këtij viti, të mbushur me tensione e kaos për shkak të hetimeve të fundit. Sipas tij po shkelen Kushtetuta dhe ligji.
“Kushtetuta dhe ligji janë feja jonë politike. Ne po luftojmë për ligjin dhe për Kushtetutën”, deklaroi Berisha.
Berisha kërkoi që përfaqësues të qeverisë të paraqiten para Kuvendit dhe drejtësisë, duke theksuar se “nuk mund të ketë më ‘vidh e ik’” dhe se parlamenti duhet të funksionojë mbi bazën e ligjit.
“Hajde silleni këtu dhe dëshmoni që jeni të vendosur se i nënshtroheni ligjit”, vijoi ai.
Ai u bëri thirrje mazhorancës që, sipas tij, të mos mbrojë individë të përfshirë në shkelje të rënda dhe të lejojë transparencë të plotë para qytetarëve.
“Nëse doni parlament, sillini të gjithë para ligjit. Qytetarët duhet t’i shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën”, u shpreh Berisha, duke theksuar se opozita do të vazhdojë betejën politike për respektimin e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.




