Sali Berisha doli në një deklaratë për mediat, mesditën e sotme, ku foli në lidhje me rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të 14 majit. Ai e cilësoi si një ditë tepër të vështirë dhe të rëndë për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Sipas Berishës, ky është një moment agonie për vlerat demokratike në vend, ndërsa u bëri thirrje të gjithë komisionerëve të opozitës që të vijojnë punën deri në numërimin e votës së fundit, edhe pse, sipas Berishës, ndaj tyre ka presione të mëdha.
“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narko-shteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.
Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa tek omega, nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.
Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në qëllimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë.
Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri, për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë me shumicën e bashkive të vendit. Shpreh solidaritetin tim me komisionierin Ismail Ismaili, dhe me të gjithë komisionerët e tjerë, që me shumë vështirësi, po përmbushin detyrimin e tyre.”
SALI BERISHA