Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij drejtuar shqiptarëve të Amerikës, paralajmëroi edhe njëherë se Foltorja është një revolucion dhe nuk ka asgjë që ta ndalojë.
“Ky është një revolucion paqësor dhe i pandalshëm. Mjerë ata që përpiqen apo mendojnë ti dalin para dhe ta ndalojnë këtë përpjekje të madhe për liri të shqiptarëve. Nuk ka asgjë që mund të mposhtë njerëzit të cilët luftojnë për liritë e tyre të vendosur për çdo sakrificë, çdo vendim deri në fitoren e plotë të kauzës së tyre të drejtë.Kjo është e vërteta e lëvizjes së ndërmarrë me Foltoren”, tha Berisha.
Berisha i ktheu edhe njëherë përgjigje akuzave të Bashës dhe kritikëve të tjerë që Foltoren e konsiderojnë një lëvizje anti-amerikane.
“Keni dëgjuar shpesh të futet nga pengkryetari dhe ndonjë tjetër se kjo lëvizje është anti-amerikane dhe kundër SHBA. Ju garantoj se kjo është lëvizja më pro-amerikane që nga dhjetori 1990 në Shqipëri. Ne po bëjmë gjithçka që norma dhe standarde që e kanë bërë Amerikën mrekulli të lirisë në botë ti vendosim dhe në Shqipëri dhe do ja dalim. Po bëjmë gjithçka tu kthejmë votën shqiptarëve, PD të kthehet në forcë të fuqishme konservatore, po bëjmë gjithçka të shndërrojmë PD në shtëpinë e lirisë dhe shoqëria shqiptare të votojë e lirë me dinjitet. Është lëvizje që lufton kundër një regjimi, klikave narko-kratike”, tha Berisha.
Në komunikimin virtual me shqiptarët në SHBA, Berisha shoqërohet dhe nga deputeti dhe ish-kreu i FRD-së Belind Këlliçi.