“7 tetori, ora 18.00, ditën e hënë po afron. Dhe kjo është beteja qytetare më e rëndësishme e 32 viteve”. Ish-kryeministri Sali Berisha i kushtoi një hapësirë të rëndësishme asaj që pritet të ndodhë në protestën e paralajmëruar të së hënës nga opozita.
“PD nis misionin e rikthimit të votës së lirë tek shqiptarët. E betuar për çdo sakrificë, e gatshme për çdo sakrificë” – u betua Berisha në fjalimin e përnatshëm nga dritarja e banesës së tij.
“I them Edi Ramës, harroje se mund të luash më, kurrë, me votën e shqiptarëve. Harroje Edi Rama, se mund të ekzekutosh votën e shqiptarëve me patronazhistët e tu, terroristë të saj” – ishin disa nga akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama, dije mirë se fillon të hënën, por nuk ndalet kurrë gjer në rikthimin e votës së lirë” – shtoi ai.
I ashpër ishte edhe me përfaqësuesit e PS-së dhe analistët e saj që e konsiderojnë ndalimin e tij, burgosjen e Salianjit dhe dënimin e Belerit si “çështje të drejtësisë”
“Unë u them këtyre shërbëtorëve të shpifur të Edi Ramës, të zhveshur nga çdo normë dhe standard moral, këtyre skllevërve të krimeve të tyre që paguhen dhe lëpijnë kocka që iu hedh Edi Rama, se çështja e lirisë së individit, se çështja e gjyqeve me dëshmitarë të rremë, është çështje e çdo njeriu të lirë, është çështje e lirisë së vërtetë, e demokracisë, e Kushtetutës, e ligjit për çdo qytetar.
Unë iu them këtyre papagajve mjeranë të Edi Ramës që kalojnë si hiena nga studio në studio, se me këto pretendime dhe këto fjalë që thoni vetëm zhvisheni lakuriq, më keq se Edi Rama plazheve të botës. Pështyni mbi veten tuaj, poshtëroni veten, tregoni veten, njerëz të zhveshur nga çdo vlerë. Papagaj mjeranë që përsërisni ato që ju jep me 5 leksha zyra e shtypit e Edi Ramës” – tha Berisha.