Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha thotë se nëse PD fiton zgjedhjet nën drejtimin e tij mund të mos jetë ai kryeministri.
“Do të ketë primare. Mund të jetë dikush tjetër kryeministër dhe unë kryetar partie”– tha Berisha në emisionin Zonë e lirë.
Ai tha se nuk do ta njohë vendimin nëse Gjykata e Tiranës do të regjistrojë edhe Statutin e Kuvendit Kombëtar të PD-së, të miratuar nga Kuvendi i Bashës në 18 dhjetor. Berisha tha se nuk ka asnjë forcë politike në vend që të pranojë një vendim “fake”.
“Nuk e njohim nëse Gjykata miraton edhe Statutin e 18 dhjetorit. Kush është ajo forcë politike që njeh një ‘fake’?,” – tha Berisha.
Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, dhe nëse Sali Berisha fiton zgjedhjet brenda partisë, a do të pranojë ta takojë ambasadoren amerikane Yuri Kim?
“Për këtë çështje unë jam shprehur. Dera e PD është e hapur për të gjithë përfaqësuesit e vendeve mike për çdo diplomat. Zonja Kim duhet t’u kërkojë ndjesë demokratëve për barin që u serviri. Kjo është fyerja më e rëndë që u ka bërë dikush në 30 vite atyre” – tha Berisha.