Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha tha sot se procesi i konsultimeve për zgjedhjen e presidentit të ri nuk është transparent.
Në një komunikim me gazetarët, Berisha e cilësoi ‘farsë’ sjelljen e kryeministrit Edi Rama me grupin e Partisë Socialiste duke shtuar se të njëjtën gjë po tenton të bëjë me opozitën.
“Dini gjë cilin kandidat kanë propozuar deputetët e PS? Ata mund të kenë propozuar 40 emra, por ai (Rama) do të zgjedhë atë që do, ndaj procesi ishte sekret”, tha ai.
Berisha pranoi se shumica i ka votat për ta zgjedhur presidentin, por me këtë sjellje tha ai, ‘Rama po poshtëron grupin e PS dhe shoqërinë civile’.
Ai tha se opozita nuk duhet të propozojë emra për president në një kohë kur nuk i ka votat.
“Ka ide por sa racionale është? Mund të propozosh kur ke votat por kur nuk i ke është të tallesh me veten”, tha Berisha.
Për debatin brenda PD, Berisha tha se nuk e njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar.
“Do të mblidhet Kongresi do të zgjedhë Këshillin Kombëtar, do të zgjedhë nënkryetarin. Unë nuk e njoh atë (Alibeajn)”, tha Berisha.
“Në mbledhjen e grupit, theksova se opozita nuk mund të përfaqësohet me të emëruar nga Taulant Balla. PD-ja nuk do ta njohë një praktikë të tillë”, shtoi Berisha.
Gjithashtu ish-kryeministri deklaroi se nuk i njeh vendimet e kaluara për përjashtimet nga PD dhe pjesëmarrja e tij në mbledhje tha ai, e dëshmon këtë.