Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme sot më 4 gusht për të firmosur detyrimin e paraqitjes para OPGJ-së. Në dalje, kreu i demokratëve pati një deklaratë ku tha se i kishte lënë një mesazh kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.
“Altin Troplinit alias Dumani është një mashtrues publik i rangut më të lartë i njëjtë me Ramaduron, deklaroj se paditë e sjella në SKAP me dhjetëra e dhjetëra padi për krime elektorale, pati amoralitetin e plotë, të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova. E garantoj se do përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik”, tha Berisha, sipas të cilit, në këtë mënyrë, ai është “avokati kryesor i krimit të shëmtuar elektoral”.
Një tjetër temë ku u ndal Berisha ishin edhe komentet e kreut të SPAK-ut për çështjen ndaj Thoma Gëllçit.
“Në një mashtrim të pacipë u deklaroi shqiptarëve se Strasburgu për çështjen Gëllçi, u dezinformua Strasburgu se gazetari Gëllçi nuk u dorëzua, por u arrestua. Ordiner e ka pak ta quash këtë. Pra në vend që të kërkojë ndjesë publike për masat represive që urdhëroi ndaj gazetarit Gëllçi mashtron shqiptarët sikur gjykata ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur mbi bazën e mashtrimit, çka nuk mund të ndodhë kurrë”, tha Berisha.
Sa i përket rastit të Ilir Metës, Berisha tha se ai mbahet “pa asnjë fakt penal në dosje”. Po ashtu theksoi se prokuroria është sjellë me Erion Veliajn “në mënyrën më të papranueshme”.
Pavarësisht konsideratës së tij për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Berisha tha: Të drejtat e tij nuk mund të përcaktohen nga vullneti im. Ato janë të garantuara me ligj dhe Kushtetutë.
Berisha u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me 21 janarin. Ai u shpreh se ngjarja ishte krim shtetëror, por pa dashje.
“Ata u vranë nga armë të shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Kjo është tjetër punë dhe faktohet kjo që them unë”, tha Berisha, sipas të cilit nuk ka pasur “Asnjë urdhër” për ngjarjen.