Berisha: Rama u përgjigj dje si padrino! Akuzon partnerët për të mbuluar lidhjet me drogën

albnews
By
7 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Kryeministri Edi Rama iu përgjigj si të ishte “padrino” kritikave nga aleatët perëndimorë. “Pas ndërgjegjësimit të shqiptarëve, pas denoncimeve zyrtare dhe mediatike të narkoshtetit shqiptar si rrezik madhor për sigurinë e rajonit, Evropës dhe më gjerë.

Pas paralajmërimeve të përsëritura të administratës së SHBA për problematikat e mëdha të karteleve të drogës dhe lidhjeve të këtyre karteleve, Edi Rama ktheu dje përgjigje. Vendet, të cilat na përmendin drogën, të shohin veten e tyre se kanë më shumë se ne.

Kjo është tipike përgjigjja e një padrinoje. Kjo është tipike përgjigjja, reagimi i një njeriu në rreth të kuq, i cili pasi ka humbur çdo shpresë se mund të dalë nga rrethi i kuq, fajëson të tjerët për çka është autor dhe përgjegjës kryesor”, tha Berisha në konferencë për mediat.

“Është e vërtetë se droga dhe trafiku i drogës është një fenomen botëror, është një fenomen evropian dhe botëror, por është e vërtetë se në hartën e drogës në Evropë, nxin më shumë se çdo vend tjetër narkoshteti i Edi Ramës dhe vetë Edi Rama. Është e vërtetë se droga është një problem për të gjitha vendet, por është e vërtetë nga ana tjetër se droga, apo se vendet e tjera kanë Shqipërinë si furnizues kryesor të kanabisit.

Është e vërtetë se vendet e tjera kanë problem drogën, por është po kaq e vërtetë se furnizuesit më kryesorë të kokainës në Evropë janë klanet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën. Janë klanet shqiptare të drogës transportuesit kryesorë. Është e vërtetë se droga përbën një problem për rendin dhe sigurinë, por e vërteta është se sot ka vetëm një vend në Evropë, në të cilin ministri i Brendshëm dhe superministri të jetë gjetur i implikuar si trafikant dhe të ketë lëshuar antimafia italiane mandat arresti për Saimir Tahirin e Edi Ramës”, shtoi ai.

Berisha shtoi se Rama po akuzon vendet partnere për të mbuluar lidhjet e tij monstruoze me drogën. “Është e vërtetë që kartelet shqiptare të drogës, dhe jo vetëm shqiptare, përdorin edhe porte të tjera të vendeve evropiane për shkarkimin e ngarkesave të mëdha të kokainës. Por është e vërtetë se nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria, në të cilin portet të jenë që të gjitha në dispozicion të karteleve të drogës.

Përfshi edhe portet e peshkimit. Pra, Edi Rama u përpoq të lajë duart si padrino i narkoshtetit duke akuzuar vendet partnere, drejt të cilave eksporton drogë dhe krim 24 orë në 24 orë, por këto janë përpjekje të kota se e vërteta është se edhe ato operacione antidrogë të kryera në Shqipëri janë ndërmarrë të gjitha pa përjashtim nga Europoli, Eurojust, DEA dhe agjencitë e zbatimit të ligjeve të vendeve partnere, Antimafia italiane, prokuroria gjermane”, tha ai.

“Në mënyrë absolute asnjë operacion i rëndësishëm nuk ka qenë iniciativë e policisë apo organeve shqiptare. Përkundrazi kanë qenë dekonspirime shumë të mëdha. Mos harroni ju rastin Xibraka kur u instalua uzina e miellit të bardhë më e madhja në Ballkan, dhe Olsi Rama sipas dëshmive të depozituara në prokurori, është njeriu që përcolli jashtë shtetit Genti Xhixhën, bosin e grupit të Xibrakës. Pra, në çdo fjalë, në çdo qëndrim, në çdo përpjekje të Edi Ramës, ai vetëm sa vetëdemaskohet më shumë. Është vetë droga Edi Rama. Është vetë kartelet e drogës. Nuk ka kryeministër tjetër në Evropë që të t’u ketë dhënë trafikantëve miliona e miliona metër katror troje publike. Shqipëria është sot lavatriçja më gjigante e kontinentit e parave të drogës. Treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë se në BE. Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, përpjekje të turpshme të Edi Ramës për të akuzuar vendet partnere në mënyrë që të mbulojë krimet e tij, lidhjet e tij monstruoze me drogën dhe shndërrimin e Shqipërisë në eksportues kryesor të krimeve, drogës dhe trafiqeve në kontinent”.

Çfarë tha Rama të enjten?

“Shqipëria s’ka më shumë korrupsion se Europa”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin Matchmarket Albania, në përgjigje të kritikëve të vendeve europiane, duke theksuar se këtë e dëshmojnë zhvillimet ekonomike dhe rritja e investimeve.

“Kur njerëzit flasin për Shqipërinë bien pre e disa stereotipeve si korrupsioni e krimi i organizuar. Por kjo nuk është Shqipëria. Ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo vend tjetër. Nuk do të përmend, po themi xhirot apo qarkullimin e drogës në Europë, nuk do të bëj krahasim. Për ata që thonë se jemi më të këqijtë, iu them, shikoni veten tuaj dhe le të bëjmë punën tonë më të mirë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka arritur të tërheqë rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit vetëm në turizëm, ndërsa numri i turistëve ka arritur në 12 milionë, duke e shndërruar vendin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës.

“Sot, si dëshmi ndryshimi, ne kemi ecur nga një vend me pak muaj turizmi, me pak miliona turistë, në një vend me shumë më tepër muaj turizmi, me 12 milionë turistë dhe 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit. Nuk më duke vend që po vuan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ky është fakt. Do doja të bëja një votim të fshehtë këtu. A keni pasur eksperiencë korrupsioni? Unë synoj të marr 98 përqind jo. Do synojmë të arrij 100 përqind. Por ata që këndojnë këtë refren, duhet të ndalen”, theksoi kryeministri. 

Share This Article