Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot pas deklaratave të shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili ka thënë se Rusia mbështet Ballkanin e Hapur si nismë e Serbisë.
Duke e quajtur Ministrin e Jashtëm rus si Goebelsin e Vladimir Putinit, Berisha ka shkruar në një postim në rrjetet sociale se “Lavrov i del zot Ballkanit te Hapur si projekt rus!”
“Pas ndalimit që i bëri Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, avionit të tij për të fluturuar në hapësirën ajrore të këtyre vendeve për në Beograd, Goebbelsi i diktatorit gjakësor Putin ju deklaroi mediave serbe se ai po shkonte në Beograd për projektin e Ballkanit te Hapur”, ka thënë Berisha.
“Te dashur miq, kjo provon se Edi Rama, vasal i Aleksander Vuçiç, me Ballkanin e Hapur kërkon të vendosi Shqipërinë vendin anëtar të NATO-s nën hegjemoninë e Serbisë dhe influencën direkte të Rusisë”, ka shtuar Berisha.
Sipas kreut të PD-së, konkretisht Lavrov deklaroi per mediat serbe: “Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”.
“Me këtë rast përshëndes përzemërsisht vendimet e qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për ndalimin fluturimit të avionit të ministrit të Putinit në hapësirën e tyre ajrore dhe dënoj me forcën më të madhe aktin antikombëtar, antieuropian te Edi Ramës, mbështetjen nga ana e tij të projektit ruso-serb të Ballkanit te Hapur”, ka përmbyllur postimin Berisha.