Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar përmes një deklarate për shtyp për rastin e 28-vjeçares e cila u mbajt peng dhe u dhunua nga i dashuri i saj.
Berisha thotë se dënon indiferencën e treguar nga autoritetet e rendit dhe faktin që qytetarët sipas tij nuk kanë siguri nga bandat kriminale. E për këto të fundit, kryedemokrati hodhi akuzën e rëndë dukë thënë se janë të lidhura me qeverinë.
“Një vajzë, 28-vjeçare, u burgos e marrë peng në shtëpi i ashtuquajturi partner. Duke kryer ndaj saj një terror fizik dhe psikologjik tipik për strofullat e mafies me protektoratin e mafies. Jeta në Tiranë bëhet gjithnjë e më e pasigurtë. Rendin në dorë e ka krimi dhe mafia. U ndala në këtë rast dramatik, sepse muaj më parë, një vajzë nga Kenia, 19-vjeçare, që punonte në një kazino, u masakrua.
Klithmat e saj ranë në vesh të shurdhër. Vrasësi është i sojit të qeverisë. Vetëm qeveria arrin të heshtë, të shkatërrojë, të rrënojë të gjitha provat për të mbrojtur ministrat e saj kriminelë që fshehin krimin.
Tirana është pra sot, qytet ku dominon ligji i mafias, ku dominon mafia. Mafia e Tiranës, duke pasur parasysh se ka pushtetin, është mafia më e rrezikshme e Europës. Ajo tejkalon Ndrahhetën, Sakra Korona Unitën, tejkalon të gjitha grupet mafioze, sepse kreu i saj është qeveria mafioze shqiptare.
Dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar ndaj 26-vjeçares, indiferencën e treguar nga organet e rendit dhe në tërësi dorëzimin e sigurisë dhe rendit të qytetarëve në duart e organizatave kriminale nga një qeveri e lidhur kokë e këmbë me to”, deklaroi Berisha.
Kujtojmë se 28-vjeçarja, u mbajt peng nga i dashuri i saj 31-vjeçar dhe u torturua prej tij barbarisht. Ngjarja e rëndë, që ndodhi në një apartament në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë, duket se ishte e paralajmëruar. Kjo pasi siç rrëfen vetë e reja, Gleard Gusholli e kishte dhunuar edhe më parë.
Ata ishin njohur rreth 1 vit e gjysmë më parë dhe kishin qëndruar bashkë edhe në Gjermani, aty ku 28-vjeçarja jetonte e punonte. Edhe atje e kishte dhunuar dhe familja e saj e kishte përzënë nga shtëpia.
Por pavarësisht kësaj, siç rrëfen ajo vetë, e reja vendosi të vijë në Shqipëri për të bashkëjetuar me 31-vjeçarin. E ky i fundit, 1 javë pasi po bashkëjetonin, e mbylli në shtëpi dhe e dhunoi në formë barbare.