Sali Berisha komentoi paketën e miratuar nga qeveria për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve, që ka përfshirë vendin tonë dhe shumë shtete të Europës e botës. Ai tha se masat e marra më shumë dëmtojnë shtresën e mesme, sesa e ndihmojnë atë.
“Vetëm dje, Edi Rama dhe qeveria e tij tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të pamëshirë ndaj shqiptarëve.
Ai paraqiti një paketë ndihmëse prej 15 milionë eurosh, ndërkohë që ka fituar 400 milionë euro nga rritja e çmimeve”, tha Berisha nga Shkodra.
“Ai vendos më shumë për luksin e tij, vendos më shumë, shumë më tepër, për klientelën e tij. Jo vetëm kaq, por dje ai njoftoi rritjen e çmimeve të energjisë për ata që konsumojnë mbi 800 kilovat. Tani unë u jap një shifër ju, se këta gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë. Regjistrimi i vitit 2011, tregonte se 340 mijë familje shqiptare kishin më shumë se një banesë. Tani kjo përqindje është më e lartë. Tani ky do i gjobisë në mënyrë cinike, të pashpirt. Po kush goditet me këtë? Goditet shtresa e mesme, goditen mjekët, inxhinierët, biznesi i vogël. Këta nuk e përballojnë dot më jetën. Këta detyrohen të largohen. Dhe mbetet Rama dhe oligarkët e tij dhe njerëzit që ai i varfëron”.