Ish-kryeministri, Sali Berisha, përsëriti edhe njëherë nga Korça se Lulzim Basha nuk ka qenë “emërim” i tij në krye të PD.
Por nga ana tjetër ai tha se e ka mbështetur që ditën e parë që ka marrë drejtimin e partisë.
“E kam mbështetur me gjithë mundësitë e mia Lulzim Bashën në këto 8 vite por nuk jam unë që e kam sjellë atë.U paraqitën vetëm dy kandidatura dhe asnjë nuk thirra unë. A e mbështeta? Plotësisht. Në 2017 i thashë jep dorëheqjen se kjo humbje është poshtërim për ne,kemi rënë më keq se në 1997. Jo vetëm kaq por mënyra si u mashtrua nga Rama duke thënë është çun i mirë. Nuk e jap dorëheqjen tha. Nuk kam qenë dakord të kthehem por momenti që kaluam nga humbja në humbje. Jemi pa perspektivë. Duhet të jepte dorëheqjen, na ka dëmtuar shumë në elektorat. Vlerat e konservatorizmit do të jenë vlerat themelore të kësaj partie”, tha Berisha.
Sali Berisha duket më i vendosur se kurrë për të rimarrë drejtimin e partisë që e themeloi.
Këtë e deklaroi nga Korça në 77-vjetorin e lindjes së tij por shtoi se është anëtarësia që do të vendosë me votën e saj se cili do të jetë roli i tij në Partinë Demokratike.
“Mbledhja e Kuvendit është jetike për të shpëtuar PD. Përpjekja ime nuk është personale, qëllimi madhor është të rikthejmë vlerat te PD, votën e lirë. Besoj vetëm, në një PD sovrane që respekton dinjitetin njerëzor. Ti vetë ku e sheh veten? Me datën 20 maj pyeta veten pse e bënë këtë punë, pse më sanksionuan? Çfarë kam bërë këto 8 vite se para 8 vitesh i kam të gjithë deklaratat me lavdërimet më të mëdha, me çmime ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit nga OKB. Unë kisha kundërshtuar ndryshimin e kufijve, dhe shumë mirë kam bërë, kisha denoncuar korrupsionin, krimin dhe drogën.
Një thirrje e brendshme ishte për mua që ti do të rikthehesh.U deklarova gazetarëve se tani do të rikthehem i hapur për çdo funksion në harkun kushtetues të këtij vendi. Duke thënë këtë do të respektoj çdo garë dhe çdo verdikt, do mirëpres çdo rival me vlerësimin më maksimal. Ne kurrë rivalët përpara nuk i kemi larguar pse kanë rivalizuar për kryetarë apo funksione të tjera. Se cili do të jetë pozicioni i Sali Berishës do ta përcaktojë anëtarësia e PD”, tha Berisha.