Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se çdo zë brenda forumeve të partisë do të dëgjohet, ndërsa takimet private nuk kanë ndikim në vendimmarrjen e PD-së.
“Asnjë takim privat nuk më impresionon. Ndërkohë, do të dëgjohet çdo zë brenda forumeve. Ky është parimi për çdo forcë politike demokratike. Por ata që zgjedhin privaten, kanë bërë zgjedhjen e tyre”, u shpreh Berisha.
Ai konfirmoi se ka pritur Ilir Alimehmetin me kërkesën e tij, ndërsa anëtari i kryesisë Ervin Salianji nuk ka kërkuar takim.
Sipas tij, biseda me Alimehmetin nuk kishte të bëjë me ndonjë platformë të re, por ishte një diskutim i hapur mbi situatën aktuale.
Berisha shtoi se është i hapur të presë shumicën dërrmuese të atyre që kërkojnë takim, brenda mundësive të tij.
Duke folur për organizimin e brendshëm, ai theksoi se pas analizës së plotë të strukturave, PD do të shkojë drejt kongresit zgjedhor, ku pritet të ndahen funksionet brenda partisë.
“Asgjë nuk do të vendoset nga pozicione private, por vetëm me vullnetin e demokratëve”, tha Berisha.
Ai rikujtoi se ka pasur gjithmonë dy premtime, mbrojtjen e votës dhe mosdhënien e asnjë materiali kundër opozitës në raportet ndërkombëtare.
“Kam premtuar se do mbroj votën dhe e kam bërë këtë edhe në kushte të vështira, si në vitin 2001. Por kurrë nuk do t’i jepja Edi Ramës luksin të përdorte raportin e OSBE/ODIHR kundër opozitës”, u shpreh ai.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha njoftoi gjithashtu se organizata e partive të djathta e udhëhequr nga Partia Republikane amerikane ka miratuar një rezolutë të re në mbështetje të opozitës shqiptare.
Rezoluta u votua në Uashington, në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), që bashkon rreth 80 parti të djathta dhe të qendrës së djathtë në botë.
Sipas Berishës, dokumenti u miratua në unanimitet dhe është rezoluta e shtatë ndërkombëtare në harkun e 14 muajve që shpreh mbështetje për opozitën shqiptare.
Ai e cilësoi këtë si një “ngjarje të madhe” në denoncimin e “narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, duke akuzuar qeverinë se ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale dhe përdor prokurorinë si armë politike kundër opozitës.
Berisha theksoi se rezoluta e IDU-së është një mesazh i qartë i Perëndimit për mbështetjen e opozitës shqiptare dhe një garanci se “asgjë në botë nuk mund të mposhtë PD-në dhe opozitën shqiptare pa përmbushur misionin e saj, qëndresën ndaj narko-shtetit dhe largimin e tij nga qeveria”.

