Ka përfunduar përballë Beshiktashit aventura e Tiranës në Conference League.
Bardheblutë e kryeqytetit humbën dhe në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Air Albania me rezultatin 0-2.
Djemtë e Shehit u shfaqën kaotikë në këtë takim, me shumë gabime në pasime dhe nuk dhanë maksimumin e tyre përballë një tifozerie që pothuajse kishte mbushur shkallët e stadiumit kombëtar.
Pjesa e parë përfundoi e qetë dhe pa raste të dukshme, me turqit që kishin vendosur të ruanin rezultatin e ndeshjes së parë të fituar 3-1.
Në pjesën e dytë, një goditje nga këndi e miqve gjeti mbrojtjen e Tiranës të përgjumur dhe Amerty përfitoi nga një devijim duke e dërguar topin në rrjetë.
Bardheblutë patën dhe një mundësi për të reaguar pasi Beshiktash mbeti me 10 lojtarë në minutën e 66 pas daljes së Masuaku me karton të kuq, por fuqitë ishin të pakta.
Një tjetër gabim solli dhe golin e dytë në minutën e 76 nga Abubakar, i cili e kaloi topin pas kurrizit të Likës.
Në fillim të ndeshjes pati dhe përplasje mes dy tifozerive në shkallët e stadiumit, por gjithçka u qetësua brenda pak minutash.