Trupat e 27 personave, që besohet se janë emigrantë nga Etiopia, janë “hedhur” buzë rrugës në zonën Ngwerere në veri të kryeqytetit të Zambisë, Lusaka.
Ata ka të ngjarë të jenë mbytur ndërsa ishin në një rrugë tranziti, ka thënë zëdhënësi i policisë Danny Mwale për BBC.
Një i mbijetuar i gjetur “duke gulçuar për ajër” është dërguar me urgjencë në një spital lokal, tha ai.
Zambia është një pikë tranziti për migrantët, të cilët duan të arrijnë në Afrikën e Jugut.
Mwale tha se banorët e Ngwerere gjetën trupat të dielën në orën 06:00, sipas kohës lokale.
Ai shtoi se policia beson se emigrantët janë shtetas etiopianë bazuar në dokumentet e identitetit të gjetura në ta.
“Hetimet tona paraprake tregojnë se një numër i përgjithshëm prej 28 personash, të gjithë meshkuj të moshës 20 deri në 38 vjeç, u hodhën në Meanwood Nkhosi përgjatë rrugës Chiminuka në zonën Ngwerere nga persona të panjohur”, tha policia në një deklaratë.
Trupat janë dërguar në morgun e Spitalit të Universitetit të Zambisë.
Në Malavi fqinj, në tetor, autoritetet zbuluan 25 trupa të emigrantëve etiopianë në një varr masiv.