Një Ford Mustang 5.0 LX i vitit 1992, pothuajse në gjendje të re, është vënë në shitje në Sewell, New Jersey, duke tërhequr vëmendjen e adhuruesve të makinave klasike.
Automjeti ruan ende mbështjelljet plastike origjinale dhe ngjyrën e gjelbër të thellë, sikur sapo ka dalë nga fabrika – siç ishte më shumë se 30 vjet më parë.
Çmimi i tij fillestar më 1992 ishte rreth 16,274 dollarë (afërsisht 37,600 dollarë sot me inflacion), por tani tregtari kërkon plot 149,000 dollarë – më shumë se një Porsche Carrera i ri.
Megjithatë, pavarësisht asaj që mund të mendojmë ne dhe ju, makina nuk qëndroi gjatë.
Tregtari konfirmoi se u shit këtë javë, duke vërtetuar edhe një herë se “nostalgjia nuk ka çmim tavan”.
Mustang-u ka përshkuar vetëm 131 milje (211 km) që nga dita e parë, gjë që e bën një nga ekzemplarët më të ruajtur të epokës “Fox-body”.
Makina përfshin çelësat origjinalë, manualin dhe dokumentet e pronësisë, por mungojnë detajet mbi mirëmbajtjen e saj mekanike.
Ekspertët paralajmërojnë se motori mund të ketë nevojë për kontroll të plotë, ndërrim vajrash dhe zëvendësim të gomave pas kaq shumë viteve në vend.
Nën kapak ndodhet një motor V8 5.0 litra me 225 kuaj fuqi dhe transmision manual me pesë marshe.
Ndërkohë, Mustangat e ngjashëm në treg shiten zakonisht mes 20,000 dhe 40,000 dollarësh, çka e bën këtë çmim vërtet të jashtëzakonshëm. /Telegrafi/




