Kreu i Partisë Demokratike, nga dritarja e banesë së tij, poshtë së cilës këtë mbrëmje festohej, ka përgëzuar gjyqtarët që vendosën se vula e PD-së i takon grupit të “Rithemelimit”.
“Sot gjyqtaret guximtare kryen aktin më të madh të trimërisë; ato guxuan dhe thanë të vërtetën,” tha Sali Berisha.
Berisha shkoi më tej duke e cilësuar vendimin e gjykatësve në favor të tij “një akt revolucionar.”
“Këtij vendimi, historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia. Nuk kam dyshuar kurrë se kudo ka burra dhe gra, djem dhe vajza të ndershëm. Ka njerëz, të cilët jetojnë për nderin, dinjitetin e tyre. Por këto gjykatëse, me vendimin e tyre iu përmbajtën ligjit dhe vetëm ligjit,” shtoi kryedemokrati.
Berisha foli për një PD të bashkuar rreth flamurit të saj.
“Dhe sot mesazhi më i rëndësishëm që duhet dhënë dhe që duhet të japim çdo ditë është vetëm një: bashkim, bashkim, bashkim! Demokrate e demokratë, sot nuk ka më parti me vulë, parti pa vulë. Sot nuk ka më PD të vërtetë, PD të pavërtetë.”
Ai u bëri thirrje demokratëve që ende nuk i janë bashkuar grupimit të tij “për sa kohë janë kundër Edi Ramës.”
“Nëse jeni kundër narkoshtetit. Nëse jeni kundër inceneratorëve. Kundër vjedhjeve 100%. Kundër krimit. Dhe mbi të gjitha kundër shpopullimit. Atëherë t’i bashkojmë forcat.”