Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e partisë CDU të kancelares Angela Merkel, Peter Beyer është shprehur kundër idesë për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, ndërsa iu ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.
Ai këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj, ku dha porosi edhe sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, i ndërprerë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntor 2018.
“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që ka. Është vërtet dëm që jo të gjitha shtetet e kanë njohur Kosovën. I bëj ftesë 5 vendeve që ta njohin Kosovën. Kosova gjendet para zgjedhjeve dhe është një fushatë shumë e shkurtë, kështu që i kanë vetëm pak ditë që të fitojnë besimin e Kosovës. Gjithashtu kemi biseduar, dje isha në Beograd, kam bërë ftesë atje për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e re që duhet të krijohet pas zgjedhjeve, të kthehet në proces pa kushte. Jemi të gatshëm si në të kaluarën të mbështesim Kosovën”, tha Beyer.