Kur presidenti amerikan Joe Biden u pyet këtë të shtunë nëse do të ulte barrierat për t’i hapur rrugë anëtarësimit të përshpejtuar të Ukrainës në NATO, ai tha prerazi “JO”.
“Jo. Sepse ata duhet të përmbushin të njëjtat standarde. Kështu që unë nuk do t’ua bëj rrugën më të lehtë”, u tha ai gazetarëve përpara nisjes për në Filadelfia për takimin e parë zyrtar të fushatës presidenciale.
“Unë mendoj se ata kanë bërë gjithçka në lidhje me demonstrimin e aftësisë për të koordinuar ushtarakisht, por ka një çështje të tërë, a është sistemi i tyre i sigurt? A janë të korruptuar? A i plotësojnë të gjitha standardet që i përmbushin të gjithë, çdo komb tjetër në NATO? Unë mendoj se do anëtarësohen. Mendoj se munden. Por nuk është automatike”, tha u shpreh Biden.
Ndërkohë, CNN raportoi më parë se Biden dhe ekipi i tij janë në mes të një bisede të rëndësishme me anëtarët e NATO-s ku diskutohet për mënyrën se si dhe kur mund të anëtarësohet Ukraina, një debat ky që mund të ekspozojë tensionet në aleancë përpara një samiti kyç muajin e ardhshëm në Vilnius, Lituani.
CNN raportoi të premten se një burim i njohur me situatën tha se Biden është i kënaqur me heqjen e një prej pengesave për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Sipas burimit, Biden do të ishte i gatshëm të heqë dorë nga Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP) për Ukrainën, i cili u përshkrua në një marrëveshje të vitit 2008 si “hapi i ardhshëm për Kievin zyrtar në rrugën e tyre të drejtpërdrejtë drejt anëtarësimit”.
MAP, i karakterizuar si “programi i këshillave, ndihmës dhe mbështetjes praktike i përshtatur për nevojat individuale të vendeve që dëshirojnë të anëtarësohen në Aleancë”, është një proces që kombet e tjera duhet të ndërmarrin për t’u bashkuar me NATO-n.
Heqja e saj do të përfaqësonte një hap të vogël në lehtësimin e pranimit të Ukrainës në aleancën EuroAtlantike.
Kjo është pjesë e një propozimi nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe u diskutua kur ai u takua me Biden në Uashington në fillim të kësaj jave, sipas burimit të CNN.
Sakaq, edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur në daljet e fundit se e kupton që vendi i tij nuk mund të bëhet anëtar i NATO-s përderisa është ende në luftë.