Familjet e viktimave të sulmeve terroriste më 11 shtator 2001 mbi kullat binjake të New Yorkut, i thanë presidentit amerikan, Joseph Biden të mos marrë pjesë në ceremonitë që do të mbahen në kujtim të viktimave derisa të heqë shenjën e konfidencialitetit nga të dhënat për ato sulme.
Gati 1,800 njerëz nënshkruan një letër duke i kërkuar Biden të lëshojë dokumente që ata besojnë se tregojnë përfshirjen e Arabisë Saudite.
Nënshkruesit e letrës besojnë se Biden, nëse refuzon ta bëjë këtë, nuk duhet të marrë pjesë në ceremonitë që do të organizohen në kujtim të viktimave të sulmit muajin e ardhshëm.
Sulmet në të cilat u vranë gati 3,000 njerëz u kryen nga grupi terrorist al-Qaeda, dhe ato çuan në pushtimin amerikan të Afganistanit. Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit mbi të cilët u kryen sulmet ishin shtetas të Arabisë Saudite, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk mundemi, me mirëbesim dhe me respekt për ata që vdiqën dhe u plagosën, të mirëpresim presidentin në tokën tonë të shenjtë derisa ai të përmbushë premtimin”, thuhet në letrën nga anëtarët e familjes së viktimave.
Familjet e viktimave kanë deklaruar prej kohësh se zyrtarët sauditë kanë ditur për sulmin paraprakisht dhe nuk kanë bërë asgjë për ta ndaluar atë. Ata gjithashtu paditën qeverinë e Arabisë Saudite, e cila mohon përfshirjen e saj.
Ata pretendojnë se Ministria e Drejtësisë dhe FBI u përpoqën në mënyrë aktive të mbanin sekret informacionin në lidhje me sulmet dhe të parandalonin popullin amerikan të zbulonte të vërtetën e plotë në lidhje me sulmet e 11 Shtatorit.
Administratat e ish-presidentëve amerikanë George W. Bush, Barack Obama dhe Donald Trump gjithashtu kanë refuzuar të deklasifikojnë dokumentet, duke cituar shqetësimet e sigurisë kombëtare.