Presidenti i SHBA Joe Biden duket se ka pranuar kritikat për performancën e tij të dobët në debatin me Donald Trump duke shtuar se edhe pse nuk debaton aq mirë sa dikur, di ta bëjë këtë punë. Ai ka qetësuar demokratët me argumentin se do të fitojë në nëntor. Debati i së enjtes nxiti shqetësim për vazhdimin e kandidaturës së tij.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tentoi të qetësonte demokratët lidhur me paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin, Donald Trump.
Presidenti i SHBA i është kundërpërgjigjur kritikave mbi moshën e tij, duke u thënë mbështetësve në një fjalim të zjarrtë se ai do të fitojë rizgjedhjen në nëntor pasi një performancë e dobët e debatit nxiti shqetësimin për kandidaturën e tij.
Në një tubim në Karolinën e Veriut Biden tha:
“Unë e di që nuk jam një djalë i ri. Unë nuk eci aq lehtë sa dikur… Unë nuk debatoj aq mirë sa dikur. Por unë e di atë që di, di të them të vërtetën [dhe] di si ta bëj këtë punë.
Biden, 81 vjeç, tha se ai besonte me “zemër dhe shpirt” se ai mund të shërbente një mandat tjetër.
Biden kritikoi Trumpin për “gënjeshtrat” e tij dhe për një fushatë që synon “hakmarrjen dhe ndëshkimin”.
“Zgjedhja në këto votime është e thjesht. Donald Trump do ta shkatërrojë demokracinë tonë, unë do ta mbroj”
Edhe para debatit, mosha e Bidenit ka qenë shqetësim për votuesit dhe debati i së enjtes mbrëma duket se përforcoi këto shqetësime të votuesve disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.
Fushata e Bidenit po ashtu ka tentuar që të ulë shqetësimet, teksa ligjvënësit demokratë e kanë pranuar se presidenti pati paraqitje të dobët në debat, por tentuan të ndalnin diskutimet për zëvendësimin e tij si kandidat për president.
Ndërkohë, Trump mbajti një tubim të tijin në Virxhinia vetëm disa orë më vonë, ku përshëndeti një “fitore të madhe” në debat, të cilin CNN tha se u shikua nga 48 milionë njerëz në televizion dhe miliona të tjerë në internet.
“Problemi i Joe Biden nuk është mosha e tij”, tha 78-vjeçari Trump. “Është kompetenca e tij. Ai është jashtëzakonisht i paaftë.”
Ish-presidenti tha se nuk i besonte spekulimet se Joe Biden do të tërhiqej nga gara, duke thënë se ai “ia del më mirë në sondazhe” se demokratët e tjerë.