Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut do të ishte vetëvrasje e atij regjimi, tha presidenti amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin e Koresë së Jugut, të cilit i premtoi mbështetje të fortë dhe një përgjigje ndaj çdo sulmi bërthamor nga Pyongyang.
Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen çdo sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut, tha presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me nikoqirin e tij.
Biden dhe Yoon përdorën vizitën e parë zyrtare të udhëheqësit të Koresë së Jugut në Shtëpinë e Bardhë në më shumë se një dekadë, për t’i dërguar një paralajmërim Pyongyang.
“Dy vendet tona kanë rënë dakord për konsultime të menjëhershme presidenciale dypalëshe në rast të një sulmi bërthamor të Koresë së Veriut, dhe janë zotuar të përgjigjen me shpejtësi, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me vendosmëri duke përdorur armët e aleancës, përfshirë armët bërthamore të SHBA”, tha Yoon.
Biden përsëriti ofertën amerikane për Korenë e Veriut për të zhvilluar bisedime diplomatike mbi programin bërthamor, një ofertë që lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un po e injoron.
Zhvillimi i përshpejtuar i armëve të Koresë së Veriut – i cili përfshin raketa balistike të afta për të arritur qytetet amerikane – ngre pyetje nëse SHBA do të përdorte vërtet armë bërthamore në mbrojtje të Koresë së Jugut për qëllime “parandaluese”.
Sondazhet në Korenë e Jugut zbulojnë dëshirën e shumicës së banorëve që Seuli të ketë bombën bërthamore, por Uashingtoni e kundërshton këtë.
Temat e samitit ishin siguria kibernetike, automjetet elektrike, bateritë, teknologjia kuantike, ndihma e huaj dhe investimet ekonomike.
Sipas “deklaratës së re të Uashingtonit”, SHBA-të do t’i japin Koresë së Jugut një pasqyrë më të detajuar në planifikimin e një programi për të penguar dhe për t’iu përgjigjur çdo incidenti bërthamor përmes një grupi të quajtur Grupi Këshillues Bërthamor SHBA-ROK, thanë zyrtarët amerikanë.